Art Kontakt Festival / Suspended

posted in: Aktivitete | 0

ART KONTAKT FESTIVAL

Ndriçime të reja mbi konceptin e “KOMUNIKIMIT” në artin bashkëkohor


Edicioni i VI i Festivalit të Artit Bashkëkohor “Art Kontakt 2015”, vjen me një risi të veçantë ku në qendër ka si objektiv temën e “KOMUNIKIMIT” në një bashkëveprim të arteve pamore me të gjitha format e tjera të artit si: muzikën, arkitekturën urbane dhe suburbane, dizainin, fotografinë, filmin, letërsinë, dhe dancin modern. – Temë kjo, e cila krijon një urë lidhëse midis këtyre disiplinave artistike, duke zhdukur një kohësisht të gjitha pengesat dhe kufinjtë që ekzistojnë mes tyre. Komunikimi është një temë sa origjinale aq dhe e ndjeshme në kohën që jetojmë, sepse sistemi i ri kapitalist dhe drejtë globalizimit ka bërë që komunikimi të shikohet dhe lexohet në shumë plane dhe forma si; midis nesh dhe botës që jetojmë, midis nesh si artistë pavarsisht artit ku bëjmë pjesë, midis lindjes dhe perëndimit, midis jugut dhe veriut, midis teknologjisë dhe informacionit etj… – Vendosja në qendër të universit bashkëkohor të “KOMUNIKIMIT” në thelb nuk është gjë tjetër, por vendosja në fokus të një fenomeni global të fillim mijëvjeçarit të tretë. Ndërveprimi në një sintoni sofiste të të gjitha arteve i japin “KOMUNIKIMIT” një trajtë shumëdimensionale jo vetëm estetike, por edhe njerzore sikurse është bota në shpirtin e artistit.

Edicioni i VI i Art Kontak 2015, në filozofinë e tij ka për qëllim shkëmbimin e eksperiencave social-kulturore midis artistëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët priten të marrin pjesë. Tema e “KOMUNIKIMIT” e bën këtë vit edicionin e VI të Festivalit të Artit Bashkëkohor Art Kontakt 2015 një laborator të mirëfilltë eksplorimi, ku artistët e rinj mund të shprehen e hetojnë fenomene të ndryshme si; social-politike, ideologjike, rracor, fetare dhe mass mediave, të cilat në kohën ku jetojmë luajnë një rol thelbësor në shkëmbimin e informacioneve anë e mbanë botës. “KOMUNIKIMI” si temë në këtë edicion nuk është thjesht të biseduarit midis personave në mënyrë verbale, por një formë veprimi dhe reagimi, e cila të shpie drejt një përqasje shumëdimensionale. Frymëzimi ky, përmes komunikimit të përcjellim mesazhe nxitëse dhe impulse të reja që shoqëria jonë kërkon ndaj të resë dhe evoluimit shoqëror përmes artit në tërsi.

Suspended

Përqasja rreth temës së “KOMUNIKIMIT” krijon hapsira të reja ndërvepruese jo vetëm midis artistëve dhe arteve, por krijon një udhë dialogu midis publikut për të vizituar ekspozitat e artit kashkëkohor. Çeljen e një bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe partnere, si dhe nxitjen e një audience të moshave të ndryshme, të cilët do të shijojnë magjinë e ndërveprimit të të gjitha arteve në një, magjinë e artit bashkëkohor.

Përzgjedhja e kolonave në sheshin Italia si vendin për të hapur, qendruar dhe mbyllur festivalin nuk është një rastësi. Sepse shumëllojshmëria e arteve që festivali Art Kontakt mbart në ADN-n e tij bën që ky shesh t’i rikthehet qytetarëve ose një lloji “audientibus humanitatis”: një vend ku shikon dhe të shikojnë, ku publiku është spektator, por edhe protagonist, një hapësir e gjerë, e përbashkët dhe sociale në të cilën takohen artistë, vepra arti dhe publiku. – Kolonat gjatë festivalit shëndrrohen nga pikëpamja historike nga një vend me simobolik politike në një vend për artin bashkëkohor. Ky shesh, tashmë i çliruar nga fantazmat mes dy botëve, asaj të së kaluarës fashiste që e ideoi dhe e ndërtoi dhe periudhës pas viteve 90’ me funksionet konsumiste, do të shërbejë për të nxitur dëshirë dhe emocion nga veprat e artit. Kolonat gjatë festivalit do të transformohen në kolonat e “KOMUNIKIMIT” përmes video-art, instalacioneve, muzikës, vallëzimit bashkëkohor, performancave, fotografisë, dhe poezisë. Komunikimi nuk është thjesht një temë, por një alkimi metafizike mes publikut dhe veprave të artit, për të shplar llumin e miteve politike të ndërtuara abuzivisht në këtë shesh. Ballafaqimi i koshiencës mes të shkuarës ideologjike, e cila varrosi “KOMUNIKIMIN” në përmbajtje e formë dhe të tashmes mediokre me gjuhën e artit bashkëkohor është guxim.

Komunikimi është një dimension gjithëpërfshirës, është konstatim i përgjegjësive tona përballë historisë, fenomeneve social-politiko-kulturore, të cilat lindin, rriten dhe vdesin në kohën tonë. Artistët bashkëkohor e vëzhgojnë botën me një optikë tjetër, duke kërkuar dhe duke përthithur nga ajo dimensione të reja të njeriut bashkëkohor, për ta rivendosur atë në qendër të universit, sepse

“Të krijosh dhe t’i japësh një formë vetë fatit tënd është art” (Albert Camus).

– Festivali Art Kontak i përkthen kolonat në një poezi në vetvete, në një vend, i cili vëzhgon ndjesitë e publikut dhe mesazhet që artistët e rinj përcjellin me veprat e tyre. Komunikimi në këtë rrugëtim të artit bashkëkohor prek dhe tërheq pranë vetes problematika të ndryshme si; sociale, ekologjike, teknologjitë e reja të informacionit, punën, jetën dhe ritmin e saj të përditshëm, gëzimin dhe hidhërimin.

Festivali Art Kontakt 2015 përbashkon artistë nga shtete të ndryshme, të cilët me veprat e tyre rikthehen për të vrojtuar “Njeriun”, por këtë herë duke nxjerrur në pah se si dhe me çfar “KOMUNIKON” ai. Në këtë këndvështrim festivali Art Kontak i jep një oksigjen të mohuar sheshit dhe i ngjiz atij përmes artit një gjuhë të re, një “KOMUNIKIM” të ri, ku njerëzit që do ta vizitojnë do të gjejnë jo vetëm kujtimet e ndrydhura në kujtesë, por edhe largpamësinë e një qyteti, i cili shikon drejtë së ardhmes. Sikurse thotë dhe kritiku i artit Gillo Dorfles “Unë nuk uroj një braktisje të harmonisë, sepse e mendoj të mbyllur mendimin artistik aventuresk të Rilindjes, por mbështes fuqishëm një mirëkuptim nga ana e qytetërimit perëndimor të shumë formave të artit shpirtëror, të cilat janë të pranueshme për këdo që i vëzhgon me një këndvështrim ndryshe”.

Frymëzuar nga kjo shprehje, “KOMUNIKIMI” është thelbi i ekzistencës, i vetë qenies tonë dhe si e atillë me larminë e tij kërkon vëmendje maksimale për t’a konservuar si një relike të një prone dhe vlere përbashkuese. Në këtë kontekst “KOMUNIKIMI” mer trajta, forma dhe përmbajte të ndryshme sidomos kur ai filtrohet nën sitën poetike të artit. Në fakt “I gjithë problemi në jetë është: se si mund të thyejmë vetminë brenda vetes tonë dhe të komunikojmë me të tjerët” Cesare Pavese. “KOMUNIKIMI” ka qenë, është dhe do të mbetet fuqia e pashterueshme in aeternum e njeriut, i cili përmes komunikimit ka arritur të evoluohet dhe të socializohet mes kulturave të ndryshme. Sepse

“Paqa vjen vetëm duke komunikuar”

shprehet Ezra Pound. Gjithashtu në universin semiotik të arteve pamore

“Të komunikosh njëri me tjetrin, të shkëbesh informacione është natyrë; të dëgjosh informacionet që na serviren është kultur” (J. W. Goethe).